Çmimi i naftës është rritur sërish mbi nivelin e 200 lekëve për litër, ndërsa Bordi i Transparencës vendosi shtrenjtim edhe për benzinën në mbledhjen e fundit.
Çmimi i naftës në tregun vendas është rikthyer sërish mbi pragun e 200 lekëve për litër. Bordi i Transparencës njoftoi këtë të martë një rritje prej 4 lekësh për litër për gazoilin, duke e çuar çmimin maksimal të shitjes me pakicë në 201 lekë/litër.
Sipas vendimit të marrë në mbledhjen e datës 13 maj 2026, çmimi i shitjes me shumicë për gazoilin është përcaktuar në jo më shumë se 189 lekë/litër.
Në të njëjtën kohë, Bordi vendosi edhe rritjen e çmimit të benzinës. Çmimi maksimal i shitjes me pakicë për benzinën u përcaktua në 187 lekë/litër, ndërsa ai me shumicë në 175 lekë/litër.
Sipas njoftimit zyrtar, çmimet hynë në fuqi më 13 maj në orën 18:00 dhe do të mbeten të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit të Transparencës.
Bordi paralajmëron masa ndaj operatorëve
Bordi i Transparencës u bëri thirrje operatorëve të tregtimit me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës të zbatojnë detyrimisht vendimin e miratuar.
Autoritetet paralajmëruan se në rast të shkeljeve do të aplikohet pezullimi i aktivitetit për operatorët që nuk respektojnë çmimet e përcaktuara.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë deklaruan se mbeten të angazhuara për mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në treg.
Akciza mbetet në nivelin 100 për qind
Në sqarimin e publikuar nga Bordi thuhet se çmimet aktuale mbeten ende nën kufirin e përcaktuar nga Akti Normativ nr. 1, datë 3 prill 2026.
Sipas këtij akti, niveli i akcizës ulet në 80 për qind vetëm nëse çmimi i gazoilit kalon 220 lekë/litër ose benzina kalon 200 lekë/litër.
Duke qenë se çmimet aktuale janë ende nën këto nivele, akciza do të vazhdojë të zbatohet e plotë, në masën 100 për qind.